Ballina Ekonomi

80% e prodhimit bujqësor të serrave eksportohet

TIRANË, 9 prill /ATSH/ – Shqipëria konkurron fuqishëm me eksportet bujqësore, tani me ardhjen e sezonit të pranverës dhe afrimin e pikut të prodhimit.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote tha për ATSH-në, se vetëm në këto vitet e fundit eksportet bujqësore shqiptare janë mbi dyfishuar, ndërsa të ardhurat nga eksportet kanë prekur shifrën treshifrore gjatë vitit 2018.

Mbi 80% e prodhimit bujqësor në serra eksportohet në tregjet e huaja, kryesisht në vendet europiane, ku dhe kërkesa sa vjen e rritet. Ndërsa është shtuar interesi i shteteve si Rumania, Bullgaria, Republika Çeke, Ukraina, Gjermania e Suedia, për prodhimet bujqësore “Made in Albania”.

Kote thotë, se tani po shtohet edhe numri i fermerëve që prodhojnë kryesisht për eksport, duke parapërgatitur që në sezonin e mbjelljeve llojin e produktit që duhet të kultivojnë sipas kërkesës së eksportuesit.

Sipas tij, heqja për herë të parë e TVSH-së për inputet dhe makineritë bujqësore, si dhe rritja e mbështetjes financiare për bujqësinë, po nxisin fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore dhe veçanërisht në serra që sigurojnë prodhimin gjithëvjetor. /e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Shkolla në Kodër-Kamzë edhe në planin e Bashës në 2013, me firmën e Malltezit
Artikulli tjetërRemont rrjeti, kufizim i pjesshëm energjie në Mat e Shkodër