TIRANË, 8 prill /ATSH/- Drejtoria Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njoftoi disa ndryshime në marrjen e targave të veçanta, të cilat kanë edhe tarifat përkatëse.
Sipas DPSHTRR-së, shërbimi i transportit rrugor është përfshirë në një revolucion transparence dhe rregulli dhe tarifat e reja tashmë i shkojnë arkës publike.
Targat e veçanta për automjetet janë: Kategoria A së cilës i përkon tarifa prej 30.000 lekë dhe përmban targat si 001, 007 dhe tre numrat e njëjtë 111, 222, …, 999.
Së dyti, është kategoria B që i përkon tarifa 20.000 Lekë dhe përmban targat që fillojnë me dy zero përveç 001 dhe 007. Pra nga 002, 003, …, 009. Po ashtu targat që mbarojnë me dy zero 100, 200,…, 900 dhe targat me dy numrat anësorë njësoj, pra që kanë zero në mes 101, 202, …, 909.
DPSHTRR njoftoi se në të dyja rastet, plus tarifën bazë të regjistrimit të mjetit është kosto totale e këtij procesi. Ndërkohë që zgjedhja e targave bëhet vetëm online.
Fondi i targave furnizohet periodikisht dhe informacioni publikohet në web, ndërsa pagesa kryhet në sportel në momentin e regjistrimit të mjetit në afatet e caktuara. /e.xh/j.p/






















