TIRANË, 8 prill /ATSH/ – Kushdo që ka të ardhura në shumën mbi 2 milionë lekë në vit është i detyruar që të paraqesë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave deri më 30 prill. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton tatimpaguesit që kanë këtë nivel të ardhurash që të respektojnë afatin e plotësimit të deklaratës.
DPT tha se deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë.
Tatimet informojnë se individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si: Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit; Të ardhurat bruto nga dividenti; Të ardhurat bruto nga qiraja; Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit; Të ardhura bruto nga interesat bankare; Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme; Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit; Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; Fitim kapitali nga dhurimi; Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart.
“Çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm. Plotësimi i pasaktë i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues”, evidenton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi.
Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30.000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit). /e.xh/j.p/












