TIRANË, 5 prill /ATSH/ – Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Kelmend Balilit.
Prokuroria për Krime të Rënda njofton se, në përfundim të hetimit të procedimit pasuror i cili ka filluar mbi bazën e verifikimeve të kryera të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kuadër të procedimit penal në ngarkim te shtetasit Kelmend Balili, i cili është akuzuar për kryerjen veprave penale Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka paraqitur kërkesën për konfiskimin e pasurive.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi janë: truall me sipërfaqe 11.994 m2 me në qytetin e Sarandës, objekti ish-kampi i pushimit të punëtorëve 4+1 kate me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2 ndodhur në qytetin e Sarandës si dhe truall me sipërfaqe 1716.91 m2 ndodhur në qytetin e Sarandës.
Po ashtu, kërkohet konfiskim edhe për njësi me sipërfaqe 120 m2, dhe 23 apartamente.
/gj.mima/j.p/























