Ballina Flash

Kinematografia shqiptare “udhëton” në Romë

TIRANË, 4 prill /ATSH/ – Në Romë nis sot festivali i filmit ”Albania, Si Gira”. Festivali, që sjell javën e kinemasë shqiptare në Romë do të zhvillohet në datat 4-7 prill. Nëntë filma që janë realizuar nga Kinostudio, por dhe pas viteve ’90 nga regjisorë të njohur shqiptarë janë pjesë e festivalit “Albania, Si Gira”, që do të zhvillohet në Casa del Cinema në Romë.

Në program do të jenë filmat: “Lulëkuqet mbi mure” (Dhimitër Anagnosti, 1976); “Njeriu me top” (Viktor Gjika, 1977); “Gjeneral gramafoni” (Viktor Gjika, 1978); “Koncert në vitin 1936” (Saimir Kumbaro, 1978); “Letra ere” (Edmond Budina, 2003); “I dashur armik” (Gjergj Xhuvani, 2004); “Lindje Perëndim Lindje” (Gjergj Xhuvani, 2009); “Amaneti” (Namik Ajazi, 2014); “Bota” (Iris Elezi, Thomas Logoreci, 2014), si dhe “Il mio zio italiano” lexim skenik nga Eliza Çoba. Filmat do të jenë në gjuhën origjinale, por të subtitruar në italisht për publikun italian.

Festivali “Albania, Si Gira” – Italia dhe italianët në kinematografinë shqiptare gjatë dhe pas komunizmit është një projekt i shoqatës artistike Cultural Pro, i ideuar nga Fabio Bego dhe organizohet nën drejtimin artistik të Nensi Bego, me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të Ambasadës shqiptare në Romë.

Festivali është përshëndetur edhe nga ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja shprehet se përmes këtij festivali filmi shqiptar kapërcen kufijtë.

”Kultura është pasaporta jonë diplomatike më e mirë. Filmi shqiptar kapërcen kufijtë me një javë të plotë dedikuar kinemasë shqiptare, me filmat më të njohur në një kujdes të Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit. “Albania, Si Gira” nga data 4-7 prill në Romë. Të dashur miq, njerëz të artit, bashkatdhetarë, mos e humbni javën e kinemasë shqiptare në Romë”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti. /a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHaradinaj: Kosova me rënie të lartë të migrimit
Artikulli tjetërPORTRET – Natanyahu, i pashkatërrueshmi përballë kundërshtarëve