Ballina Flash

Transformimi i hetimit tatimor, gati thirrja e dytë për punësimin e ekselentëve

TIRANË, 3 prill/ATSH/ – Studentët ekselentë të cilët janë punësuar tashmë në administratën shtetërore pritet që të ndikojnë në performancën e saj, dhe për këtë qeveria shqiptare do të hapë edhe një thirrje tjetër për punësimin e tyre.

Kryeministri Rama gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe pedagogë në kuadër të Paktit për Universitetin, theksoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të hapë një thirrje të dytë për punësimin e studentëve ekselentë.

“Te Financat dhe Ekonomia po bëhemi gati për një thirrje tjetër për disa qindra të tjerë. Për të transformuar hetimin tatimor. Nuk mund të jetë hetimi tatimor ashtu siç e duam ne, me ata njerëz që shfaqen te dera të duken si njerëz në kërkim. Mua m’u ankua njëherë një shitëse, se kam hetimin tatimor këtu, dhe më bëjnë presion etj. I kërkova emër, mbiemër dhe u kishte bërë një video, nuk më besohej që ishin të hetimit tatimor, më dukeshin si ata që janë në kërkim. Duam që t’i japim një mundësi tjetër të bëjmë një reformë dhe të thërrasim ekselentët”, – theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se “po diskutojmë që të bëjmë një zgjerim për ekselentët që kanë mbaruar në katër-pesë vitet e fundit. Nga 375 që janë punësuar janë 10 veta që kanë ardhur nga jashtë shtetit dhe janë punësuar në administratë. Do vijnë të tjerë me siguri dhe ky është një transformim që do të japë fryte në një afat të mesëm, por ama do të çlirojë nga makthi një pjesë të rinisë, që është pjesa e atyre që mësojnë më shumë”, – theksoi Kryeministri.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtesta e opozitës, Policia ndalon të infiltruarin
Artikulli tjetërSHBA – Uashingtoni i kërkon Berlinit të bëjë më shumë për shpenzimet ushtarake