Ballina Flash

Sistemi informatik, përgjegjësi e Rektoratit

TIRANË, 3 prill /ATSH/- Kryeministri Edi Rama, në përgjigje të një studenti që u ankua për mosfunksionim të sistemit informatik në Fakultetin e Ekonomisë tha se, “biblioteka dixhitale është në funksion, po ju nuk e hapni dot. As ju, dhe fatkeqësisht asnjë fakultet i Universitetit të Tiranës, nuk e akseson dot bibliotekën dixhitale. Po ashtu është e vështirë edhe gjithë pjesa e ndërveprimeve të tjera, dhe shkaku është Rektorati i Universitetit. Pra rektori i Universitetit”.

“Ju gjithçka e kërkoni tek qeveria, ndërkohë që kjo është pjesë e keqadministrimit të Universitetit të Tiranës nga ana e Rektoratit dhe me keqardhje e them se është përgjegjësi e rektorit të Universitetit. Universiteti simbol i botës akademike të Shqipërisë ka një ngërç prej një kohe të gjatë edhe për rikonstruksionin e godinës së Fakultetit të Ekonomisë. Ndërkohë që Fakulteti mund të ishte rikonstruktuar, sepse fondet janë dhe barten vetëm për arsye të arsyes që nuk ka lidhje me Ligjin e Arsimit të Lartë, por ka lidhje me shpërdorimin e autonomisë së universitetit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se, autonomia e universitetit është liri dhe përgjegjësi. Problemi është se përgjegjshmëria e autonomisë universitare sot është shumë më e madhe se dje, dhe nuk është rritur sensi i përgjegjësisë bashkë me rritjen e hapësirës për autonominë dhe studentët shkojnë te Ministria, ndërkohë që shumë nga pikat e protestës nuk e kishin adresën te Ministria e Arsimit.

“Edhe kjo pikë nuk e ka sot adresën këtu, por e ka në Rektorat. Edhe mungesa e rikonstruksionit të Fakultetit, e konvikteve e auditoreve nuk e ka adresën te Ministria e  Arsimit, por tek Rektorati dhe ajo që ne çka kemi investuar tek sistemi është të mos e cenojmë duke futur duart në sistem”, – tha ai.

Ka shpërdorim të lirisë në ambienteve universitare, vijoi ai, si mosmarrjen e përgjegjësive si papërgjegjshmëri, ka shumë mundësi të bëhen se i jep hapësirë ligji, por nuk bëhen si rezultat i mënyrës së të menduarit që duhet të ndryshojë.

“Rektori i Universitetit të Tiranës është i zgjedhur dhe e keni zgjedhur ju, dhe ka detyrimin të përgjigjet përpara zgjedhësve të vet, por ka dhe fatin që zgjedhësit e vet nisen për tek Ministria. Eshtë e pabesueshme që në kryeqytetin e një vendi që synon të bëhet pjesë e familjes europiane, universiteti të ketë një problematikë të tilë”, – deklaroi Kryeministri. /e.xh/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Uashingtoni i kërkon Berlinit të bëjë më shumë për shpenzimet ushtarake
Artikulli tjetërStudim tregu për punësimin e studentëve