TIRANË, 30 mars/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me banorë të Durrësit deklaroi se rritja e taksave ka varfëruar biznesin e vogël, duke e çuar sipas tij drejt mbylljes.
Sipas Bashës, faturat e energjisë elektrike dhe ujit janë rritur krahasuar me disa vite më parë.
“Fatura e energjisë 2-3 dhe katër herë më shumë sesa gjashtë vite më përpara. Taksat 2-3, deri 7 herë më të larta se sa katër vjet më parë. Shqiptarët, populli më i varfër i Europës, i varfëruar deri në palcë nga Edi Rama, paguan naftën njësoj sa gjermanët, populli më i pasur i Europës. Për shkak të taksës Rama, mbi 300 lekë e rriti vit pas viti me efekt të drejtpërdrejtë në çmimin e bukës, zarzavateve, në çmimin e shërbimeve bazë, në çmimin e çdo gjëje që blejnë Shqiptarët”, theksoi Basha.
Duke u ndalur te kostoja e jetesës së Shqiptarëve, Basha e cilësoi atë si të papërballueshme për shumicën dërmuese të Shqiptarëve, duke shtuar se ata nuk mund të mbyllin dot as muajin.
“Kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për shumicën dërmuese të Shqiptarëve. Profesionistë dhe mjek e kanë të pamundur që të mbyllim muajin. Po ata qindra dhe mijëra pronarë biznesesh të vogla të cilët kanë përfunduar për kotheren e bukës sepse taksat janë më të larta sesa fitimi i tyre vjetor. Kjo është arsyeja sepse qytetarët mbarë Shqipërisë, detyrohen të largohen në emigracion. Bizneset e vogla kanë mbetur të varfra. Gjushi e rriti me 40% çmimin e ujit në Durrës. Parlamenti i krimit morri fund me dorëzimin e mandateve të opozitës”, – theksoi Basha .
Kryedemokrati theksoi se sistemi i ri i TVSH-së për fermerët po i çon këta të fundit drejt falimentimit, duke shtuar se “demokracia europiane dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë kauzat për të cilat luftojmë dhe do vazhdojmë betejat tona”.
/e.caushi/






















