Ballina Aktualitet

Dialog për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

TIRANË, 28 mars/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama duke u ndalur sot në Kuvend në reformën zgjedhore deklaroi se “duhet të ecim përpara, pasi nuk kemi ngut për të bërë kalimin e reformës zgjedhore në Kuvend akoma”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën për miratimin e reformës zgjedhore.

“Ne do të gjejmë rrugën që të ketë një derë edhe për ata. Këtu jo (në Kuvend), por një derë në tryezë”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ne jemi sot këtu gati për të futur në Kodin Zgjedhor të gjitha rekomandimet e ODHIR-it sikundër e thotë Këshilli Europian, ndërsa ata janë në rrugë, pasi edhe kur ishin këtu nuk u ulën për të dakordësuar mbi këtë reformë. Por as mbi dy kërkesat e famshme, votimin elektronik dhe numërimin elektronik”.

Unë, vijoi Rama, jam kundër votimit elektronik, por dëshironim të gjendej një rrugë dakordësie edhe të provonim edhe votimin elektronik dhe numërimin elektronik, me shpresën që mbase ata do të pranonin rezultatin.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kemi punuar intensivisht, jemi bërë gati të bëjmë disa projekte pilote në disa njësi në zgjedhjet bashkiake, pastaj për të shkuar duke zgjeruar rezultatin”.

Duke folur për deputetët e rinj të opozitës, Rama tha se “ne jemi këtu, zonjat e zotërinjtë që janë këtu nuk i kemi zgjedhur ne dhe nuk i kemi sjellë ne këtu, i ka sjellë lista e hartuar dhe firmosur nga doktorja e shkencave horoskopike Monika Kryemadhi dhe artisti Lulzim Basha. Ndërkohë që sot ata janë këtu në vendet që ju jep Kushtetuta dhe iu jep ligji”.

“Ndërkohë që sot janë këtu, në vendet që iu jep Kushtetuta dhe ligji. Kështu që komisionet përkatëse, siç po krijohen, me pjesëmarrjen e zonjave dhe zotërinjve që kanë ardhur në Parlament, do të pasqyrojnë edhe bashkëpunimin me opozitën në komisionin zgjedhor, ku patjetër ne do të gjejmë rrugën që të ketë një derë edhe për ata. Jo këtu, por një derë në tryezë. Ne jemi gati që atyre, sidoqoftë, meqë kanë vulat e partive akoma për ca kohë, t’iu njohim të drejtën e vulës mbi propozimin, t’iu njohim edhe të drejtën e vetos, po të duan, por nuk do presim gjatë. Do të presim aq sa është e arsyeshme, sepse nuk do ta lëmë veten në dorë të gjykimeve subjektive në qershor nga ana e Këshillit Europian, se ata nuk duan të vijnë”, – tha Rama.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVetingu në Polici, Kuvendi miraton ndryshimet ligjore
Artikulli tjetërNdreu: Vetingu në polici rrit integritetin e trupës ligjzbatuese