Ballina Ekonomi

FOTO/ Nga veriu në jug, investimet në arteriet më rëndësishme të infrastrukturës kombëtare

TIRANË, 21 mars/ATSH/- Nga Veriu në Jug, qeveria shqiptare ka shtrirë investimet në disa arterie të rëndësishme të infrastrukturës kombëtare.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato duke bërë të ditur akset ku po punohet, thekson se investimet në infrastrukturë janë në vëmendje të qeverisë.

Një nga akset ky po investohet me fonde të qeverisë nga FSHZ është aksi Skrapar–Përmet, që shtrihet nga Ura e Lapanj (pranë kanioneve të Osumit) deri në dalje të fshatit Rog. Projekti  parashikon ndërtimin i një ure të re (Ura e Lapajt) me një hapësirë drite 40 ml, me strukturë mbajtëse çeliku dhe ballna me mure mbajtës betonarme si dhe të veprave të artit. Në këtë aks parashikohen punime të sinjalistikës vertikale dhe horizontale dhe të sigurisë rrugore.

Elbasan-Banjë, Loti 3 është një tjetër aks ku vijojnë punimet ndërsa projekti parashikon ndërtimin e aksit rrugor Gostimë – Mollas (Elbasan) me gjatësi 8,58 km. Ky segment rrugor fillon ne kryqëzimin e fshatit Gostimë dhe përfundon në hyrje të fshatit Mollas. Projekti parashikon ndërtimin e Urës së Sulovës me gjatësi 244 ml. Në kuadër të këtij investimi, parashikohet edhe spostimi i linjës së ujësjellësit në fshatin Gostimë, punime të veprave të artit (mure mbjatëse pritës, kanale, tombino), punime të shtresave rrugore dhe të shtresave asfaltike, ndriçim rrugor dhe sinjalistika e duhur.

Ndërkohë po punohet edhe në aksin Kardhiq-Delvinë, loti 5. Është cilësuar një nga akset më prioritare, që shkurton në rreth 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana deri në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit. Paralelisht ARRSH bën të ditur se po punohet edhe në lotin 6 të këtij aksi të rëndësishëm kombëtar.

Qato bën të ditur nisjen e punimeve edhe në bypass-in e Tepelenës. Projekti përfshin lidhjen e dy segmenteve rrugore, atë të segmentit Levan-Tepelenë në hyrje me segmentin në dalje Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, si pjesë e korridorit Veri-Jug. Gjatësia e segmentit do të jetë 2,3 km me dy korsi nga 3,7 m dhe me një vlerë investimi prej 2.87 miliardë lekë.

Projekti parashikon mbrojtje lumore poshtë kalasë, mbjellje me pemë në skarpatet përgjatë rrugës, përmirësim i aksit mbi aksin ekzistues, përmirësim i nyjës në hyrje të qytetit të Tepelenës dhe lehtësim në qarkullim. Gjithashtu, do të realizohet një rrethrrotullim në sheshin “Ali Pasha”, zgjerim i rrugës dhe realizim i trotuareve për këmbësorët që duan të vizitojnë kalanë, pastrim dhe rehabilitim i mureve të kalasë, ndriçim i rrugës, mbrojtje e skarpateve dhe gjelbërim i gjithë zonës.

Drejtoresha e ARRSH-së, deklaron se punimet po vijojnë edhe në Kukës-Morinë, Kranë- Muzinë, Tiranë-Elbasan, Nyja e Milotit dhe Shkodër Loti 1.

ARRSH, thekson Qato, do të vijojë të inspektojë dhe monitorojë çdo ditë punën në këto kantiere për t’u garantuar qytetarëve shqiptarë siguri maksimale për rrugët që duam.

Ndërkaq, drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar shprehet se respektimi i kohës, kushteve të kontratës dhe grafikut të punimeve është një nga kriteret bazë të monitorimit të përditshëm të punës së tyre. /a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMuzikë elektronike në natyrë, Rana e Hedhun do të mikpresë 10 mijë fansa europianë
Artikulli tjetërLleshaj: Protestat e verbra që godasin deputetë e institucione, pengojnë policinë në luftën kundër krimit