Ballina Flash

Foto/ Këngëtarja i bashkohet nismës për mbjelljen e pemëve

TIRANË, 20 mars/ATSH/ – Një artist i mirë është edhe një qytetar i mirë. Këngëtarja e njohur e skenës shqiptare, Soni Malaj, iu bashkua nismës së bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë, me synimin për të shtuar gjelbërimin e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e falenderoi këngëtaren për kontributin e saj artistik dhe u shpreh se tashmë me pemën “Kamelia” që ajo mbolli në Parkun e Liqenit Artificial, ka dhënë një kontribut për ta bërë qytetin më të jetueshëm dhe më të mirë për brezat e ardhshëm.

Më tej, ai theksoi se falë punës së bërë jo vetëm me gjelbërimin, por edhe me sistemimin dhe rikonstruksionin e gjithë Parkut të Liqenit Artificial, ai është kthyer në vendin më të preferuar të qytetarët, por edhe për artistët, që tashmë kanë një hapësirë dinjitoze për të bërë koncerte në natyrë. Ndaj, ai ftoi të gjithë artistët që të mbjellin pemë dhe të bëhen pjesë e angazhimeve artistike në Amfiteatrin i Liqenit.

“Një qytetar i mirë tregon kujdes për gjërat e qytetit; patjetër për karrierën e tij, për fansat, artin, muzikën, por edhe për pastërtinë, për gjelbërimin dhe për kulturën e përgjithshme, që na emancipon. Ndaj, Soni, unë të jam shumë mirënjohës, mezi pres që pas pemës të na bësh edhe një dhuratë tjetër, ndoshta ndonjë superspektakël tek Amfiteatri i Liqenit”, shtoi Veliaj.

Këngëtarja Soni Malaj, në emër të edhe të komunitetit të artistëve, falenderoi bashkinë e Tiranës që bëri të mundur rikthimin e Amfiteatrit të Liqenit në një skenë moderne. Ajo premtoi se shumë shpejt do të organizojë një koncert për gjithë dashamirësit e muzikës së saj.

“Është fantastike në fakt të rikthehesh pas 22 vjetësh, nuk kemi pasur këto kushte, kanë qenë shumë herë më të vështira. Kemi menduar që në 1 Maj të bëjmë një koncert madhështor, me efekte speciale, orkestër, balerina, tamam për një ditë pranverore, edhe me shumë entuziazëm; shumë muzikë për 1 Maj”, tha Soni Malaj.

Gjithashtu, këtij aksioni iu bashkuan edhe shumë qytetarë e përfaqësues institucionesh, të cilët mbollën pemë së bashku me kryetarin e bashkisë së Tiranës. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKursi i Këmbimit – Valutat forcojnë pozitat në këmbim me lekun
Artikulli tjetërFushë-Arrëz, IKMT do të prishë me shpërthim oxhakun 40 m të lartë