Ballina Ekonomi

Rritje e eksporteve me 3,4% në shkurt

TIRANË, 18 mars /ATSH/- Bujqësia, agropërpunimi dhe prodhimet tradicionale shqiptare po luajnë peshë kryesore në konsolidimin e trendit të rritjes së qëndrueshme të eksporteve “Made in Albania”.

Instituti i Statistikave INSTAT, publikoi sot raportin mbi “Tregtinë e jashtme të mallrave, Shkurt 2019” ku vëren se, eksportet shqiptare u rritën me 3,4% në muajin shkurt 2019, kundrejt janari të këtij viti, ku ndikim kryesor dhanë eksportet e grupit “Ushqime, pije, duhan”, që u rritën me 1,9%.

Ekspertët shprehen se, rritja e prodhimit vendas bujqësor, me afrimin e sezonit pranveror do të zgjerojë bazën e eksporteve shqiptare, duke zëvendësuar kështu sektorin e energjisë që kryesonte në fund të muajit janar totalin e eksporteve shqiptare.

Sipas INSTAT, në dymujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 44 miliardë lekë, duke u ulur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë. Kushtet e pafavorshme hidrike në dy muajt e parë të vitit, bënë që eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, të bien me gati 20% krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë që në total për muajin shkurt 2019 eksportet e mallrave “Made in Albania” arritën vlerën 23 miliardë lekë, bën të ditur INSTAT. /e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Java e së vërtetës për Brexit dhe May
Artikulli tjetërMuzetë e Beratit mirëpritën rreth 2 mijë vizitorë në 2 muajt e parë të vitit