Ballina Flash

Fundjava vjen me dy premiera për publikun e vogël në teatrin Eksperimental

TIRANË, 18 mars /ATSH/ – Teatri Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli” po përgatitet për dy premierat e fundjavës për publikun e vogël. Çdo fundjavë në këtë teatër publiku i vogël argëtohet me shfaqje të shumta të cilat sjellin argëtim, por dhe mesazhe sociale për ta.

Dy premierat e fundjavës për fëmijët janë “Ferdinand” e cila do shfaqet të shtunën në orën 10:30 dhe 11:30 dhe “Mendjet e vockla” të dielën në orën 10:30 dhe 11:30.

“Ferdinand” është një histori aspak si të tjerat, një histori që flet për guximin, dashurinë dhe mbi të gjitha për miqësinë. Kjo është historia e Ferdinandit, një Dem i vogël me zemër të madhe, një dem që nuk i pëlqen të ndeshet por i pëlqejnë lulet. Kur Ferdinandin e ngatërrojnë për një bishë të frikshme, e kthejnë në fermën e demave. A do mundet ai të kthehet në shtëpi dhe të ndryshojë gjërat një herë e përgjithmonë? Një histori plot aventura, aksion dhe ritëm. Personazhe fantastike, në rrethana të jashtëzakonshme.

“Mendjet e vockla” sjell historinë e Rreg dhe Ullsi, dy vogëlushë që jetojnë mes rrregullave, disiplinës dhe korrektësisë absolute. Por ja që një ditë, në shtëpinë e tyre jashtëzakonisht të pastër, u vjen për vizitë një zotrush i veçantë nga qyteti “Kotësia e Kotë” dhe pikërisht nga lagjja që ndodhet mu në qendër të qytetit, që quhet “Lagjja e Budallenjve”.

Ai është aq i çuditshëm saqë ecën mbrapsht, flet mbrapsht, ushqehet mbrapsht, mendon mbrapsht, por sidomos bën një qejf të paparë mbrapsht. Kjo krijesë e këndshme dhe mjaft argëtuese, edhe pse paksa e mbrapsht, shoqërohet me ardhjen e dy superëmbëlsirave nga “Lagjia e Sheqerit”, të cilat thyejnë dietën ushqimore të fëmijëve. Gjithashtu edhe Zonja Loloja, që vjen nga “Lagjia e Lojërave”, e cila është aq e zonja saqë organizon lojëra gjatë gjithë ditës. Mes lojërave të pafundme, rrëmujës dhe thyerjes së të gjitha rregullave, fëmijët arrijnë të kuptojnë gabimet e tyre. /a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Rruga e gjatë e futbollit femëror
Artikulli tjetërFOTO/ Nxënësit me mesazhe sensibilizuese mbi riciklimin e mbetjeve