Ballina Ekonomi

Bypass-i Fierit/ Hapet nënkalimi në Mbrostar

TIRANË, 18 mars/ATSH-A.Fortuzi/ – Punimet në bypass-in e Fierit vijojnë me ritme të shpejta, ku ditën e hënë është hapur nënkalimi në fshatin Mbrostar.

Prefekti i qarkut të Fierit, Baki Bala i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare u shpreh se, puna po vijon në disa segmente të bajpasit në të njëjtën kohë, ndërsa synimi është çelja një korsie brenda fillimit të sezonit turistik.

“Po punohet me ritëm të shpejtë në të gjithë gjatësinë e bajpasit. Është ndarë puna në 7 apo 8 segmente dhe sot u hap dhe një nënkalim në Mbrostar. Kujtoj që i gjithë segmenti është 22 kilometra dhe sipas projektit të gjitha devijimet do të jenë me nënkalim dhe segmenti rrugor nuk do të jetë i ndërprerë në asnjë pikë. Njëra nga korsitë e saj do të synohet të jetë e gatshme për sezonin turistik, përsëri”, – tha prefekti i qarkut të Fierit, Bala.

Projekti është i tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit (Bypass-i i Fierit) me gjatësi afërsisht 22 km, i financuar nga BERZH dhe BEI. Bajpasi i Fierit është pjesë e korridorit të rëndësishëm nga Veriu në Jug. Aksi rrugor do të kalojë në perëndim të Fierit, midis qytetit dhe vijës së bregut, duke përfshirë në pjesën më të madhe një fushë që kultivohet e vaditet në mënyrë intensive. Aksi rrugor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë jugore, për zhvillimin industrial dhe të turizmit, dhe ka një impakt të rëndësishëm në bujqësi, meqenëse Fieri është rajoni më i rëndësishëm i prodhimit bujqësor në vend. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali, përgjigje PD-së: Ky vend nuk bën mbrapa
Artikulli tjetërVeliaj: Aktet antike me zjarr dhe tritol janë sjellje humbësish