Ballina Ekonomi

Lehtësim maksimal i kufirit me Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 13 mars, /ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e Maqedonisë së Veriut, se pritet që dy vendet të hyjën në finalizmin e një procesi teknikisht të komplikuar, por të domosdoshëm të lehtësimit maksimal të kufirit.

“Proces që e jemi nisur me Kosovën, për fat të keq i keqkuptuar tek-tuk, kur kemi folur për një model Shengen, e që përbën vetëm zanafillën e një procesi që duhet shtrirë në të gjithë rajonin”, theksoi Rama. Ai shtoi se Shqipëria ka vullnetin të konkretizojë me fqinjët, me urimin dhe bindjen se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në proces dhe që kufijtë të jenë po aq fluidë sa edhe kufijtë e BE-së.

“Nëse këtë duhet ta bëjmë edhe me vendet e BE kur të jemi pjesë e familjes europiane, askush nuk na pengon ta bëjmë mes nesh tani, që t‘u japim qytetarëve tanë mundësinë të hyjnë e të dalin në 2 shtetet pa pengesë, kontrolle e pa problem”, theksoi Rama.

Ai vuri në dukje se 15 muaj pas mbledhjes së parë të përbashkët mes dy qeverie, ka ardhur koha për të dytën, e për këtë pret ftesën zyrtare nga Kryeministri Zaev.

“Miratimi i ligjit për gjuhët dhe nisja e zbatimit të tij, klima ndëretnike e përmirësuar rrënjësisht dhe kalimi nga letrat në vepra falë vullnetit tuaj, janë padiskutim arsye të qenësishme që ne të fuqizojmë çdo ditë këtë marrëdhënie”, theksoi Rama.

“Konfirmoj vullnetin dhe angazhimin që pakica maqedonase që jeton në Shqipëri të gëzojë frutet më të mira të kësaj klime pozitive për të rritur pemën e miqësisë tradicionale”, përfundoi Kryeministri Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDakordësi për zonë të përbashkët ekonomike me Maqedoninë e Veriut
Artikulli tjetërRusia kundër zgjerimit të BE-së, kjo nuk është sekret