Çelja e negociatave, Zaev: Gjithçka varet nga ne

TIRANË, 13 mars/ATSH/ – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shprehu sot besimin se në qershor, Komisioni Europian do të japë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por sipas tij, “gjithçka varet nga ne”.

Në kuadër të vizitës njëditore në vendin tonë, Zaev dha një intervistë për një media shqiptare ku foli për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe ecurinë e procesit të integrimit europian për të dyja vendet.

I pyetur lidhur me vendimin që presin të dyja vendet për çeljen e negociatave për anëtarësim, Zaev tha se “të dyja vendet tona kanë pritur për një kohë të gjatë”.

“Maqedonia e Veriut është një vend kandidat që prej vitit 2005. Padiskutim që është një moment me rëndësi për ne, për t’ia arritur këtij objektivi jo vetëm strategjik për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë. Kjo do të thotë një jetë më e mirë për qytetarët tanë”, tha ai.

Me hapjen e kapitujve të kërkuar nga BE-ja, sipas Zaev, “rriten kapacitetet e mbi të gjitha standardet ekonomike”.

“Prandaj them që ky është qëllimi final për të dyja qeveritë tona dhe shoqëritë. Ne po shkojmë në atë drejtim. Mendoj se ne kemi mundësi të mira, por varet nga ne se çfarë do të mund të arrijmë deri në vendimin e qershorit. Shpresoj që normalizimi i situatës në Shqipëri do të ndodhë. Po ashtu, në vendin tim dialogu do të vijojë me Parlamentin për reformat e fundit që janë në proces”, shtoi Zaev.

Duke shprehur besimin se Komisioni Europian do të japë një vendim pozitiv, Zaev tha se “ata duan të lënë një trashëgimi në fund të mandatit”. “Po ashtu, vendet europiane shpresoj se do të jenë pozitive, pasi zgjedhjet për në Parlamentin Europian do të kenë mbaruar, e kështu nuk do të ketë një presion të madh nga brenda. Për reforma të mëtejshme dhe një të ardhme europiane, këto s’do të jenë të mundura pa pasur një zgjerim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Zaev.

Për Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut “çdo gjë është gati”.

“Varet nga ne. Shpresoj se të gjithë aktorët në shoqëritë tona do të punojnë për të ndihmuar vendin e tyre për çeljen e negociatave me unionin europian. Kjo do të thotë të jemi bashkë, ne si qeveri me opozitën, por edhe me shoqërinë civile e qytetarët”, tha ai.

Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Zaev tha se “Shqipëria është vendi më mik që ne kemi”. Ai theksoi se “vitin e kaluar është rritur po ashtu shkëmbimi tregtar me 11.5%”. “Kemi kapacitete të mëdha për të arritur të tjera gjëra. Po ashtu duhet të inkurajojmë investitorët e dy vendeve tona për të fituar. Nga ana tjetër, kjo do të thotë më shumë vende pune për qytetarët tanë, një GDP më të madhe, sikurse edhe eksporte të reja për kompanitë tona”, tha ai.

Lidhur me nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjen e lirë të mallrave e njerëzve në të dyja vendet, Zaev tha se “ne duhet të përmirësojmë të gjitha projektet infrastrukturore që na lidhin”.

“Ne kemi ndërtuar një projekt 450 milionë eurosh të “Kicitohrid” që na lidh me Shqipërinë. Së shpejti do të nisim një linjë hekurudhore me vlerë 530 milionë euro, që do të lidhë Durrësin me Shkupin, e që shkon më tej deri në Detin e Zi, në Bullgari, e më pas drejt Stambollit. Ai “one stop shop” që ne kemi ndërtuar dhe shpresoj të hapet në verë, do të ulë me minimumin 50% kohën e shpenzuar në kufi prej qytetarëve, por gjithashtu edhe të kamionëve me mallra”, tha Zaev.

Po ashtu, ai vuri në dukje punën e përbashkët për delegimin e kompetencave.

” Për shembull, nëse AKU-ja në Shqipëri deklaron se ushqimet që do të hynë në Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria janë të pastra dhe të konfirmuara sipas standardeve, kaq mjafton për ne. Do ta pranojmë këtë certifikatë, po ashtu edhe nga ana tjetër. Ne po punojmë në hapjen e një tjetër pike kufitare në rrugën e Arbrit, e kjo do ta bëjë më të lehtë kalimin në të dyja anët”, tha ai.

Nxitja e bashkëpunimit rajonal mes 6 vendeve tona, sipas Zaev, “do të vlerësohet shumë nga BE-ja për të punuar më mirë me ne, e kjo do të kishte shumë përfitime për 6 vendet ballkanike”.

Zaev iu përgjigj po ashtu pyetjes lidhur me çështjen aq shumë të debatueshme të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk dua ta komentoj atë, pasi askush nuk po e shtron bisedën në këtë rrafsh dhe ka vetëm fjalë. Nëse do të komentoja, kjo nuk do të tregonte se jemi miq të ndershëm. Le t’i lemë. Ata e kanë detyrimin. Komuniteti ndërkombëtar është përfshirë në këtë proces, si SHBA dhe BE, dhe nëse shtojmë komentet tona kjo nuk e bën të lehtë negocimin e atyre që po e bëjnë. Duhet t’i lemë të gjejnë zgjidhje”, tha ai./m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.