FIER, 12 mars/ATSH-Enkelejda Haderi/ Paralel me punimet për rehabilitimin e lumit Gjanica në Fier, po punohet me ritme të larta edhe për projektin e rikonceptimit të qendrës së qytetit.
Një tjetër kantier ndërtimi është krijimi i parkimit nëntokësor, i cili do të bëjë të mundur çlirimin e qytetit nga trafiku.
Qendra e Fierit po transformohet në një hapësirë të re publike, ndërsa lumi Gjanica parashikohet si pjesë integrale e qendrës së re të qytetit të rilindur.
Projekti për rikonceptimin e qendrës së qytetit të Fierit, me vlerë 5.6 milionë euro, do të transformojë sheshin kryesor të qytetit, me një pamje të re moderne dhe të ndërthurur me një sërë veprash arti.
Konkretisht parashikohet ndërtimi i tri urave mbi lumë, ku secila prej tyre do të ketë një dizajn të veçantë.
Sheshi i rikonceptuar është parashikuar të lidhet me lumin përmes shkallareve, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e projektit, pasi do t’i japë banorëve lirshmërinë për të aksesuar drejtpërdrejt lumin.
Projekti synon të rikthejë lumin Gjanica në një nga asetet më të rëndësishme natyrore të zonës urbane të qytetit të Fierit dhe të konceptojë një shesh qendror, i cili i mungon qytetit. /m.marini/ /a.g/












