TIRANË, 12 mars /ATSH A.ALLA/ – “Studentët që kemi çuar në Stamboll janë një histori e panjohur për publikun. Ne kemi pasur mundësi të çojmë një numër të caktuar studentësh çdo vit në Stamboll. Në vitin e parë kur e kemi bërë, kemi marrë një listë me 50 studentë së bashkë me Lindita Nikollin dhe i kemi marrë nga i pari deri tek i 50 në bazë të notave. Është një kënaqësi e madhe sepse në Stamboll është një nga universitet më të mira. E para e përzgjedhur për Stamboll ka qenë një vajzë nga Kavaja prindërit e së cilës kishin një gjendje të vështirë ekonomike dhe sot në Stamboll është një nga studentet më të mira atje”, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë takimit me studentët ekselentë të punësuar në administratë.
Kryeministri Rama mori shkas nga studentja ekselente e ekonomikut Alda Gjergji nga Universiteti i Shkodrës e cila ishte punësuar në administratë dhe falënderoi kryeministrin për këtë nisëm por edhe në emër të motrës së saj më të vogël ekselente e cila ishte një nga studentet e përzgjedhura për në Stamboll.
”Ajo që keni bërë ju si student ekselent është një punë e vështirë dhe prandaj sot keni këtë vend dhe mos harroni kurrë që ju jeni produkt i meritës tuaj. Jam i bindur që shumë nga ju këtu do bëjnë karrrierë në administratë, dhe ndër ju do ketë njerëz që do bëheni shumë shpjet përgjegjës dhe më pas do bëhen drejtor”, tha Rama.
”Nga ligji që kemi bërë mesatarja e moshës së të rekrutuarve në administratë është 31 vjeç dhe mesatarja e drejtuesve të lartë është 39 vjeç. Kjo ka dhe problematika por është një tregues i faktit që ka një ripërtëritje që po ndodh dhe ju patjetër që nëse vendosni për karrierë në administratë do bëni sukses”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Edi Rama. /j.p/























