TIRANË, 7 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Ish-Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, në ditën e mësuesit, 7-marsin, ka kritikuar qeverinë lidhur me politikat e ndjekura në arsimimin shqiptarë, ndërsa ka shtuar se Partia Demokratike ka një program të qartë për këtë sektorë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët.
Çupi thekson se vetëm në vitin 2018 u mbyllën 250 shkolla.
“Sipas të dhënave të INSTAT sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30 për qind që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve, ndërsa numri i shkollave u reduktua me 35%”, shprehet Çupi.
“Afërisht 250 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit. Me politikat e mbrapshta të kësaj qeverie, Shqipëria po zbrazet. Ky është një fakt tronditës, ndaj të cilit duhen marrë masa për parandalimin një orë e më parë të kësaj zbrazje”, shprehet Çupi. /a.g/























