Ballina Flash

Dëmtohet Nainggolan, mungesë e rëndësishme për Interin

TIRANË, 6 Mars /ATSH/ -Në një moment delikat ku mund të vendosen fatet e sezonit, pasi në prag janë katër sfida shumë të rëndësishme, dy përballjet ndaj gjermanëve të Eintracht Frankfurt në Europa League dhe takimi ndaj Spal e derbi ndaj Milanit në Serinë A, Interi ka marrë një tjetër goditje.

Sikur të mos mjaftonin problemet me Mauro Icardin, dëmtimi i gjatë i Keita Balde apo edhe mungesat në listën UEFA të Gagliardinit, Joao Marios dhe Dalbert, zikaltrit kanë humbur edhe mesfushorin e tyre më të mirë, Radja Naingolan për sfidën e parë ndaj Franfkurtit që do të zhvillohet këtë të enjte.

Një dëmtim që vjen pikërisht atëherë kur nuk duhej, madje në momentin që mesfushori me origjinë indoneziane po rifitonte formën e tij më të mirë.

Në këtë mënyrë për ndeshjen ndaj Frankfurtit, Luciano Spalletti i ka të detyruara zgjedhjet sidomos në mesfushë aty ku përveç Nainggolan nuk ka të gatshëm as Gagliardinin e Joao Marion.

Në këtë mënyrë vendin e belgut në formacion pritet ta marrë Borja Valero, që së bashku me Brozovic e Vecinon do të formojë treshen e mesfushës, ndryshime mund të ketë vetëm në rast se trajneri i Interit do të propozojë në repartin e ndërmjetëm një mes Asamoah dhe Skriniar të cilët mund ta bëjnë edhe rolin e shkatërruesit.

Lajmi i vetëm i mirë për Interin përpara kësaj sfide është që edhe Frankfurti nuk do të ketë në dispozicion yllin kroat Ante Rebic për shkak dëmtimi.

/gj.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak560 studentë të ekselencës punësohen në shtet
Artikulli tjetërHomazhe pranë shtatores së Adem Jasharit në Tiranë