560 studentë të ekselencës punësohen në shtet

TIRANË, 6 mars/ATSH/-Departamenti i Administratës Publike ka bërë punlik emrat e 560 studentëve të parë të ekselencës, të cilët përfitojnë kontrata njëvjeçare pune në poste të rëndësishme si nëpunës civilë të qeverisjes qendrore, si Tatimet, Doganat, por edhe në Kryeministri, etj.

Kontratat janë lidhur me studentët  me notë mesatare mbi 9, me shkolla të mbaruara jashtë vendit, por edhe në universitetet publike apo private në Shqipëri.

Pas disa Vendimeve të Këshillit të Ministrave, të miratuara në fund të vitit të kaluar, në total, nga ana e shtetit u ofruan 803 vende pune ku, pa konkurs dhe vetëm mbi bazën e mesatares (9-10), studentët duhej vetëm të përzgjidhnin vendet që ishin të lira në administratë, duke përfituar një kontratë 1 vjeçare pune.

Më pas do të zhvillohet edhe procesi tjetër i përzgjedhjes nga ana e studentëve të ekselencës që kanë aplikuar në portalin punetembare.al, për të përzgjedhur vendet e lira të punës që janë në institucionet që rregullohen me Kod Pune. Nga 803 vendet vakante brenda dhe jashtë shërbimit civil, peshën më të madhe e zënë pozicionet për të cilat kërkohen të diplomuar në shkenca ekonomike, juridike, ekzakte (ku përfshihen inxhinieritë, shkenca kompjuterike, biologji, kimi, fizikë etj), shoqërore etj.

Në platformë gjenden mbi 200 pozicione me shkenca ekonomike, mbi 150 pozicione me shkenca juridike apo mbi 300 pozicione me shkenca shoqërore. Gjithashtu, në platformë ka edhe pozicione për shkenca të veçanta siç janë mjekësi veterinare, shkenca agronomike etj. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.