Ballina Ekonomi

Çmimet e prodhimit të mallrave u rritën me 0.5%

TIRANË, 5 mars /ATSH/- Instituti i Statistikave (INSTAT) bën të ditur se, indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit lehtë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

INSTAT raportoi se në tremujorin e katërt të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimit u rritur me 0,5%, në krahasim me tremujorin e katërt 2017 dhe shënoi ulje me 0,6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit, ndaj jep një orientim për rritjen e çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt. Nëse prodhuesit rrisin çmimet, ndodh që kjo rritje të përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë.

Sipas INSTAT, për këtë periudhë rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 4,3%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 6,5%.

Në tremujorin e katërt 2018, çmimet e prodhimit në aktivitetet e “Industrisë përpunuese” kanë shënuar ulje me 1,5%, krahasuar me tremujorin e katërt 2017.

Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 1,3%,“Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,9%, “Metalurgjia” me 3,1% dhe “Konfeksionimi i veshjeve” me 1,5%. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 101,2, duke u rritur me 1,0%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017.

Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 106,6, duke u ulur me 0,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Indeksi i çmimeve të prodhimit, në tremujorin e katërt 2018, shënoi ulje me 0,6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2018. Çmimet e prodhimit, në seksionin ”Industri Nxjerrëse” shënuan ulje me 6,0%, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

Çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” janë ulur me 10,4%. Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” nuk kanë shënuar ndryshim, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në këtë industri, çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” dhe “Përpunimi i produkteve ushqimore” janë rritur respektivisht me 0,2% me 0,6%.

Ndërsa çmimet e prodhimit në aktivitetin “Metalurgjia” janë ulur me 0,4% Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase ka shënuar ulje me 0,1%. Në këtë ulje, ndikimin kryesor e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 3,2%.

Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar ulje me 2,1%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 8,1 %. e.xh/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: PD i trembet Reformës në Drejtësi
Artikulli tjetërDelegacioni i JICA-s vizitë zyrtare në Shqipëri