TIRANË, 1 mars/ATSH/ – Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi e ka cilësuar djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës si një akt vetëvrasës politik dhe antishqiptar të opozitës.
Duke theksuar lehtësirat që mazhoranca i ka lënë partive opozitare në hartimin e Kodit Zgjedhor, Çuçi u shpreh se opozita nuk kishte asnjë arsye madhore për të ndërmarrë një akt ekstrem, sikurse është djegia e mandateve parlamentare.
“I kemi dhënë të gjithë hapësirat për të përcaktuar rregullat e lojë për zgjedhjet duke i bërë thirrje që të shkruajnë vetë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ashtu siç mendojnë se mund t’i japin një garanci më shumë opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Unë kam qenë bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore dhe u kemi lënë të gjitha hapësirat opozitës për t’i bërë gjërat, duke u kërkuar vetëm plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, si dhe votën e emigrantëve. Për fat të keq nuk eci dhe nuk i shkuan deri në fund, pasi opozita kishte axhendë tjetër politike. Të paktën për pozicionin në Parlament, opozita nuk ka pasur asnjë arsye për të ndërmarrë një veprim të tillë. Kjo është një axhendë krejtësisht jashtë Parlamentit që e ka bërë të marrë një veprim të tillë, të pajustifikuar, antishqiptare dhe vetëvrasëse për opozitën”, – theksoi Çuçi.
I pyetur nëse mazhoranca është e shqetësuar rreth djegies së mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, ministri Çuçi u shpreh se shumica është më shumë e shqetësuar për të ardhmen dhe axhendën europiane të Shqipërisë.
“Ne shqetësohemi për të ardhmen e Shqipërisë, për axhendën e Shqipërisë në BE, shqetësohemi për intimidimin që u bëhet investitorëve të huaj, shqetësohem për turistët, ekonominë, tkurrjen dhe percepsionin se Shqipëria është një vend i pasigurt”, – vijoi ai.
Çuçi tha ndër të tjera se mazhoranca është e hapur për dialog me opozitën, madje shtoi se ata nuk kanë asnjë lloj kompleksiteti nëse Kreu i Shtetit Ilir Meta merr rolin e negociatorit.
“Vetë Kryeministri ka përmendur shprehjen e tij të famshme: “Kur do flasim”. Ne s’kemi pasur kompleks nga Presidenti. Ai ka treguar se nuk është shumë komod me zgjedhjet tona, edhe pse ka qenë në shkelje të Kushtetutës, ka pasur kompleks ta pranojë këtë. Nuk e di tamam si e ka thënë, por nuk është çudi. Edi Rama s’ka qenë kurrë kundër dialogut edhe me ata që kundërshtojnë e dalin në protesta. Pozicioni i i tij politik ka qenë gjithnjë për të dialoguar”, – theksoi ministri.
Në përfundim ministri u ndal edhe te fenomeni i blerjes së votës, duke inkurajuar Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit që të çojnë hetimet deri në fund për shkelësit e ligjit.
/e.caushi/






















