PRISHTINË, 27 shkurt /ATSH/ – Kryeministri Ramush Haradinaj priti sot në takim anëtarin e këshillit bashkiak të New York-ut Mark Gjonaj dhe delegacionin shqiptaro-amerikan.
Haradinaj tha se biseduan për shumë tema me rëndësi për shqiptarët dhe se shqiptarët ende kanë nevojë për Amerikën.
Kryeministri Haradinaj tha se ka nderin ta nderojë Gjonajn me dekoratën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e motivi është lartësimi i vlerave kombëtare.
“Mark Gjonaj është i zgjedhur i popullit në New York. Kemi biseduar shumë tema, prej shqetësimeve të punëve në Kosovë, e kemi edhe një situatë festive, me 3 mars votojnë shqiptarët e Tuzit, i ftojmë të gjithë shqiptarët të votojnë. Ne ende shqiptarët në Ballkan kemi nevojë për njerëzit tanë në Amerikë që vazhdojmë të qëndrojmë bashkë”, tha Haradinaj.
Anëtari i këshillit bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj tha se është nder për të që sot ndodhet në Kosovë, në vigjilje të 11-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Gjonaj theksoi nevojën për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ndërsa shtoi se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve janë dhe do të jenë gjithmonë të forta.
“Është nder i madh që jam këtu, pasioni dhe emocionet që kisha kur eca në sheshet e Prishtinës, dhe të jesh në mes të këtyre njerëzve është diçka që do e kujtoj shumë vjet. Ne biseduam edhe për vazhdimin e dialogut sepse është në interes të Kosovës, kjo ndihmon në ndërtimin e të ardhmes për të gjithë shqiptarët në botë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-ve janë të forta dhe gjithmonë do të jenë. Kosova është vend i pavarur dhe po vepron si i tillë”, tha Gjonaj.
Po ashtu tha se nuk është sot në Prishtinë me mision nga ShBA për heqje të takës ndaj Serbisë. /KosovaPress//e.malaj/j.p/























