Vasili: Gjithë populli shqiptar, në krahun e opozitës

TIRANË, 23 shkurt/ ATSH/ Ish-kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ndau me mediet atë që e cilësoi dëshmi tronditëse e televizionit shtetëror italian Rai2, “për blerjen e votës në 2017 nga krimi i organizuar, i orkestruar dhe i mbështetur fort nga qeveria”.

“Narkoshteti dhe marijuana bleu zgjedhjet e 2017-ës dhe do të blejë sërish zgjedhjet e radhës”, tha Vasili, duke ngritur pyetjen që sipas tij, e ngre edhe Rai2 dhe Zëri i Amerikës për dosjen “që përvëlon dhe djeg që është dosja 339”.

“Pse kanë frikë dhe prej dy vjetësh nuk guxojnë të ecin përpara me këtë dosje dhe kanë vënë të tërë Prokurorinë e kapur që ajo ta mbajë të bllokuar?”, tha Vasili.

“Shqiptarët duhet ta kuptojnë qartë dhe prerë. Sot i tërë populli shqiptar, së bashku me opozitën shqiptare dhe opozitarët shqiptarë, ish-deputetë si qytetarë të lirë janë vendosur në njërin krah, në këtë apel nuk mungon asnjë shqiptar i vetëm dhe në krahun tjetër ndodhet vetëm një Kryeministër i rrethuar nga të inkriminuar, mbështetës i kriminelëve dhe i telekomanduar nga kriminelët. Sfidën përjetësisht dhe padiskutueshmërisht e ka fituar populli, çdo sekondë e humbur do të jetë më e keqe dhe shkatërrimtare, do të jetë shumë e rëndë dhe pa kthim për Edi Ramën, por do të jetë një ditë e madhe dhe e mirë për popullin”, deklaroi Vasili. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.