TIRANË, 21 shkurt /ATSH/- Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, “numërimi dhe votimi i famshëm elektronik, që mbajti ngritur një çadër të opozitës me muaj në mes të bulevardit, si kusht i panegociueshëm për të hyrë në zgjedhje, prej muajsh ia kemi lënë në dorë të opozitës, të vendosë për Reformën Zgjedhore, ndërsa kemi pranuar pikë për pikë, çdo rekomandim të ODHIR-it për atë reformë, siç këshillon edhe raporti i Këshillit Europian në funksion të çeljes së negociatave”.
Ashtu sikundër kemi punuar vetë ne, vijoi ai, duke studiuar e bërë teste për të futur numërimin e votimin elektronik si projekt pilot në disa njësi vendore gjatë zgjedhjeve të qershorit. Po ata, të interesuarit për zgjedhje transparente? As kanë denjuar të dëgjojnë, as për ato që kanë kërkuar vetë, jo më të ulen në tryezë.
Kryeministri solli në vëmendje tre ligjet e famshme, për të cilat u bë nami në Shqipërinë që kishim nën qeverisjen e zotërinjve, të cilët sot ankohen se jetojnë në Venezuelë. “Edhe pse çuditërisht, – tha Rama, – në Venezuelë sot SHBA dhe BE janë me opozitën e atjeshme të muajve të fundit, ndërsa këtu janë kundër pikërisht opozitës së ditëve të fundit”.
Ndërsa shpjegoi se, një nga ato tre ligjet, s’ishte ligj, “po kërkesa jonë për t’i dhënë liderit të opozitës, kohë fjale të barabartë në rregulloren e parlamentit pas fjalës së Kryeministrit”.
“Jo që nuk u pranua, po u quajt me muaj të tërë si një kërkesë antikushtetuese dhe si një tentativë për t’i mbyllur gojën kryeministrit të kohës. Sapo erdhëm në qeveri në 2013, kjo u bë realitet dhe sot që flasim, jo vetëm që lideri i opozitës ka folur më shumë se unë në parlament, po edhe vetë opozita ka folur shumë më shumë sesa shumica qeverisëse”, – tha Rama. /e.xh/r.e/























