Protesta e 16 shkurtit, Ambasada e SHBA thirrje shtetasve të saj për vigjilencë

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar personelin dhe familjarët e tyre që të shmangin të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendndodhjet ku do të ndodhë demonstrata e paralajmëruar e opozitës në datën 16 shkurt.

Ambasada e SHBA u ka bërë apel shtetasve të saj që të shmangin grumbullimet e mëdha dhe çdo zonë ku ka demonstratë apo lëvizje demonstruesish.

“Në 16 shkurt 2019 pritet të ndodhë një demonstratë. Njoftohet se demonstruesit do të mblidhen në zonën e “Zogut të Zi”, Qytetin Studenti, stadiumin “Selman Stermasi”, dhe në mëngjes në zona të tjera rreth qytetit. Më pas, demonstruesit do të lëvizin drejt Kryeministrisë për t’u mbledhur atje rreth orës 11. Grupet kanë ndërmend të demonstrojnë kundër qeverisë. Nuk dihet sa do të ngjasë demonstrata. Ambasada udhëzon personelin dhe familjarët të shmangin të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendndodhjet ku do të ndodhë demonstrata”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.

/p.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.