Ditën kur Maqedonia e Veriut i kishte sytë nga ne, një “mavri me bojë” nxiu Shqipërinë

TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/ – “Sot kur Maqedonia e Veriut i kishte sytë te Shqipëria, sot ishte dita e zisë kombëtare të një vendi fqinj, dita e Arbër Xhaferrit, dita e gjuhës shqipe, u bë dita e gjuhës së dhunshme nga një “mavri me bojë” që nxiu Shqipërinë”, – tha Kryeministri Edi Rama.

Në rubrikën “Përgjigja ime” për rastin “Paloka” në Parlament, Kryeministri Rama citon fjalët e një të mençuri për budallallëkun që i sjellë dëm shoqërisë dhe s’ka rrezik më të madh se sa budallallëku i vetëdijshëm.

“Alkooli, duhani, droga dëmtojnë shumë, por dhe luftohen dhe kufizohen, ndërsa budallallëku i vetëdishëm dëmton shumë më tepër dhe sado ta luftosh, nuk e kufizon dot, është i pafund, sidomos kur gëzon mandate përfaqësimi në politikë dhe analizimi mediatik”, shprehet ai.

Më tej Kryeministri shton se budallallëku në rastin tonë sot është dhe më i madh, sepse ai hedh bojë përpjetë në parlamentin e vendin, ndërsa budallallëku që atij ia jep guximin dhe krenarinë është një parti e tërë parlamentare, madje është më keq se kaq, se janë dy parti parlamentare që kanë kthyer me vetëdije budallallëkun në platformë, ku gjithkush përpiqet të shkojë dhe më lart në kërcimin e budallallëqeve”.

Më tej Rama shton se kjo është e komplikuar, pasi nuk është punë grushtash dhe shkelmash.

“Sot ishte dita ku të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i kishin sytë tek Kuvendi i Shqipërisë. Mirëpo, mjafton një palo shqiptar bashkë me të zotin e tij për ta bërë këtë të sotmen ditën e “mavrisë me bojë”. Sot ishte dita ku në mes të zisë kombëtare në vendin fqinj, do të votohej këtu për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, pas një procesi historik transformimi në marrëdhëniet ndëretnike në atë vend, si dhe pas një marrëveshje historike në Prespë, mes Maqedonisë dhe Greqisë. Mirëpo për fatin më të keq dhe turpin më të madh, kjo u bë dita e budallait shembullor, që kishte parasysh Albert Ajnshtajni kur tha se për pafundësinë e universit nuk ishte aq i sigurt, por për pafundësinë e budallallëkut s’kishte asnjë dyshim”, shtoi ai.

Më tej, Rama shtoi se “sot ishte dita e Arbër Xhaferrit dhe e të gjithë atyre që luftuan e sakrifikuan me pasion të madh atdhetar opozitar për flamur, histori e të drejtave të shqiptarëve, duke përballuar rreziqe reale, persekutime të vërteta dhe përqeshje të pafundme dhe sot jetojnë përmes veprës së tyre. Mirëpo fatkeqësisht dhe paturpësisht u bë dita e budallallëkut universal të opozitës së Shqipërisë, e cila e ofendoi mikun e ardhur nga Maqedonia e Veriut, kryetarin shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke shkelur çdo rregull dhe normë të traditës sonë të mikpritjes. Sot ishte dita e kremtimi të gjuhës amtare të të gjithë atyre, që për ta çuar shqipen tonë deri në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, u stërmunduan në shumë e shumë vite, mirëpo u bë dita e gjuhës së dhunshme të atyre që Parlamentin e Shqipërisë e kanë kthyer në arenë të budallallëkut të vetëdijshëm, ku sot një katran me bojë i vuri vulën me krenari një tjetër shfaqjeje turpëruese për ne dhe për emrin e vendit tonë në tërë sytë e veshët e dynjallëkut”.

“Asnjë armik i Marrëveshjes së Ohrit dhe të Prespës, asnjë armik i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe kudoqoftë. Asnjë armik i këtij kombi dhe i këtij vendi nuk do ta katranoste dot më keq dot imazhin e Shqipërisë në Parlament”, shtoi Rama.

Duke iu drejtuar Isait, një qytetar, Kryeministri Rama thekson se ata nuk e kanë me mua, por me shqiptarët.

“Ata s’e kanë me mua, ata e kanë me ju, unë jam vetëm pengesa mes tyre dhe jush. Dhe kjo është dhe arsyeja që durimi s’më humbet – po veç më kalitet, pasioni s’më tretet – veç më shtohet, dhe vendosmëria s’më bie – veç më rritet. Këta janë të lodhshëm dhe s’ke faj Isa, kur thua ‘na nxinë jetën’, por këta janë një pakicë që shumicë dot nuk bëhen. Gjynah për ata që besoj e u venë nga mbrapa duke lejuar kështu që qoftë dhe në pakicë, budallallëku i vetëdijshëm të mbetet njësoj i rrezikshëm, jo për qeverinë, po për shoqërinë. Jo për mua apo partinë time, po për ty, dhe ju të gjithë që e doni Shqipërinë të bukur për familjet e fëmijët e këtij vendi. Jo “mavri me bojë” për këdo që bën një përshesh sa herë gjen një shesh. Ja pse s’është punë grushtesh e shkelmash o mik, po është më e thellë, është një luftë që vazhdon mes “mavrisë me bojë” dhe Shqipërisë që duhet të rrojë e të bëhet zonjë”, përfundon Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.