Ballina Aktualitet

Aksion i përbashkët për paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme

TIRANË, 14 shkurt ATSH/ – Arritja e paqes, forcimi i stabilitetit dhe përmirësimi i mirëqënies së popullatave që jetojnë në Lindjen e Mesme, kërkon mbi të gjitha jo vetëm vullnet politik por edhe një aksion të përbashkët global për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjendet në Poloni, ku po merr pjesë në Ministerialin e Varshavës “Promovimi i së Ardhmes në Paqe dhe Siguri për Lindjen e Mesme”, të bashkorganizuar nga ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputoëicz dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Ministeriali i Varshavës, i cili zhvillohet për herë të parë, ka si fokus shkëmbimin e pikëpamjeve, qëndrimeve dhe ideve mbi situatën e paqëndrueshme që ekziston prej dekadash në rajonin e Lindjes së Mesme, duke mos lënë jashtë vëmendjes projektet e reja për adresimin e problemeve dhe çeljes së një rruge të re zhvillimi në këtë rajon.

Ministrat e Jashtëm dhe përfaqësues të lartë të mbi 70 vendeve pjesëmarrëse në Ministerial, u ndalën në shqyrtimin e dimensioneve të shumta që shoqërojnë konfliktin shumëvjeçar në Lindjen e Mesme të tilla si; rreziku terrorist dhe financimi i tij, konfliktet civile dhe krizat humanitare, duke vënë njëkohësisht theksin tek nevoja për promovimin e bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZhvillimi i rajoneve ndihmon në rënien e emigracionit
Artikulli tjetërFOTO/ Bashkëpunim kulturor midis Ambasadës së Rumanisë dhe Muzeut Historik Kombëtar