TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Misioni auditues i Drejtorisë së Përgjithshme për Bujqësinë në Bruksel vlerëson procesin e ndjekur nga Agjencia Zhvillimit Bujqësor e Rural (AZHBR) për zbatimin e programit IPARD II, që adreson mbështetje financiare për bujqësinë shqiptare.
Në një njoftim për shtyp, AZHBR bën të ditur se, misioni auditues për çështjet e Bujqësisë nga Brukseli, vizitoi Shqipërinë nga data 5 deri 6 shkurt, ndër të tjera për të monitoruar nga afër procedurat administrative të programit IPARD.
Misioni i DG AGRI zhvilloi takime me autoritet menaxhuese në vend, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoritetin Menaxhues në MBZHR, si dhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, duke garantuar mbështetjen e procesit nga afër.
Me temë afrimin e donatorëve të tjerë në këtë proces, angazhimin e tyre në ngritje të kapaciteteve dhe mbështetjes teknike për programin IPARD në Shqipëri, u zhvillua edhe një takim nga Ambasada gjermane në funksionin e donatorit koordinues, më 06 shkurt në Europa House.
Drejtoresha e përgjithshme e AZHBR, Frida Krifca evidentoi rezultatet e deritanishme, si një tregues i qartë i rritjes së besueshmërisë të fermerëve ndaj programit IPARD.
Në përpjekje për të garantuar një proces të suksesshëm, shumë organizata ndërkombëtare dhe institucione bankare si: Giz, FAO, IFC, Ambasada gjermane, Ambasada italiane, zviceriane, hungareze dhe donatorë të tjerë, shfaqën mbështetjen e tyre për ngritje të kapaciteve në këto iniciativa të rëndësishme afatgjata për sektorin e bujqësisë. /j.p/
e.xh/





















