TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ – Këshilli i Ministrave miratoi këtë të mërkurë një sërë vendimesh të rëndësishme ndër të cilat edhe përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti.
Në vendim thuhet se dokumentacioni që duhet të depozitojnë organizatat jofitimprurëse, që aplikojnë për marrjen e autorizimit që lëshohet nga ministri i Drejtësisë, për të ofruar shërbime të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, duhet të përmbajë
aktin e regjistrimit në gjykatë, kopjen e statutit, ku specifikohet si pjesë e veprimtarisë ofrimi i ndihmës juridike, dokumentacionin që provon përvojë në ofrimin e ndihmës juridike parësore, të paktën në 3 vite të veprimtarisë së tyre si dhe dokumente të tjera plotësuese përgjatë 3 viteve.
Aplikimi për autorizim i shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm dorëzohet pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas (në Ministrinë e Drejtësisë), e cila vlerëson nëse aplikimi është kryer brenda afatit të caktuar në njoftim, shqyrton përmbushjen e kritereve ligjore dhe verifikon dokumentacionin e dorëzuar, ndërsa aplikimet e paraqitura jashtë afatit nuk kualifikohen.
Procedura e shqyrtimit të aplikimit zhvillohet jo më vonë se 60 ditë nga data e përfundimit të afatit të njoftimit. Autorizimi i dhënë nga ministri i Drejtësisë është i vlefshëm për një periudhë dyvjeçare. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
z.tosku/j.p/























