TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Fakulteti i Shkencave të Natyrës po zhvillon mësim normalisht që javën e dytë të janarit dhe viti akademik do të përfundojë në kohë. Zv.dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Eglantina Kalluçi theksoi sot në një intervistë për ATSH-në se mësimi rifilloi pas një kërkese që Këshilli Studentor i dërgoi dekanatit të fakultetit për një takim me stafin akademik.
“Në këtë mbledhje adresuam një listë kërkesash të ndryshme edhe nga 8 pikat. Ne bëmë një mbledhje në dekanat për të diferencuar se cilat kërkesa mund të realizoheshin në dekanat dhe cilat mund të përcillen në instancat më të larta”, sqaron Kalluçi.
Nga ai takim, vijon ajo, ne dolëm dhe u thamë studentëve se u kemi garantuar që mos të humbasë viti akademik dhe nëse duhet të arrihet një gjë e tillë duhet të riktheheni dhe të vijojmë procesin mësimor.
Zv.dekania Kalluçi shprehet se aktualisht është krejtësisht normale, që nga momenti që u rikthyen, studentët po ndjekin normalisht procesin mësimor.
“Kemi bërë bërë kontrolle të vazhdueshme dhe kryesekretarja e degës mësimore garanton se mësimi zhvillohet në të gjithë programet e mësimit 100%”, tha Kalluçi.
Ndërkohë që sipas një vëzhgimi të ATSH-së, procesi mësimor po zhvillohet normalisht në fakultetet e Ekonomikut, Gjuhëve të Huaja, Filologjikut e të Drejtësisë dhe në universitetet e Mjekësisë, Politeknikut, Inxhinierisë së Ndërtimit./k.s/j.p/






















