Ballina Flash

Monodrama “Dome” për publikun gjatë fundjavës

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ – Monodrama “Dome” shkruar dhe me regji nga Stefan Çapaliku dhe interpretimin e aktorit shkodran Enver Hyseni shoqëroi publikun këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgli”.

Kjo shfaqje rikthehet pas premierës, që pati më parë në teatër. Më herët autori Stefan Çapaliku është shprehur se “Dome” është një monodramë e shkruar enkas për aktorin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni. Shkrimi i saj është produkt i një vëmendje të zgjuar gjatë bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit ndër procese pune apo ndenje të rastësishme.

Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë këtyre bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin. Çapaliku tregon se e i kanë bërë përshtypje gjithashtu edhe thjeshtësia e tregimit e veçanërisht mungesa e mllefeve dhe inateve.

Në këtë monodramë autori ka dashur të shkruajë e më vonë të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë.

Në jetën artistike të teatrit si autor dhe regjisor Stefan Çapaliku është një emër i vlerësuar për aktivitetin e tij. Edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ai ka sjellë vepra që kanë përcjellë mesazhe për publikun. /a.a/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHapet segmenti i dytë i Bulevardit të Ri, funksional për automjetet
Artikulli tjetërShkodër, rikualifikim i plotë urban në bllokun e pallateve tek Sahati