Ballina Flash

FOTO/ Arkivat, mbështetje studimeve albanologjike

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Instituti i Historisë nënshkruan sot marrëveshjen, që mundëson nxitjen e studimeve në fushën e albanologjisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave merr përsipër të furnizojë me kopje dokumentesh falas Institutin e Historisë, ndërsa Instituti do të mundësojë hartimin dhe botimin e përmbledhjeve të dokumenteve arkivore.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido theksoi se ky bashkëpunim është një përfitim institucional, duke plotësuar njëri-tjetrin në burime njerëzore dhe në burime arkivore. 

”Kjo marrëveshje realizon një interes kombëtar për sa i përket studimeve albanologjike dhe studimeve në fushën e përmbledhjeve të dokumentave, duke nxitur më tej studimin e historisë sonë kombëtare”, tha Bido.

Akademiku Beqir Meta u shpreh i kënaqur nga ky bashkëpunim, duke falenderuar Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. “Ky bashkëpunim do të shërbejë për të inkurajuar dhe për të zhvilluar kërkimin shkencor të historisë sonë kombëtare”, tha ai.

Kjo është marrëveshja e parë e bashkëpunimit mes dy institucioneve. /a.a/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPedagogë të fakulteteve të Tiranës diskutojnë hyrjen në grevë
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Trump: Do të doja që im bir të mos luante futbollin amerikan