Ballina Ekonomi

Grantet IPARD, ferma e dhive katërfishon prodhimin

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/- Nga një biznes i thjeshtë dhe artizanal, fermeri Olsi Gjeta përmes grantit IPARD Like, ka krijuar tashmë fermën e tij të dhive, në Bubq të Fushë-Krujës, një kompani vërtet fitimprurëse prej së cilës siguron të ardhura për familjen e tij.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural e sjell këtë histori suksesi për të inkurajuar dhe informuar fermerët sesi të përfitojnë nga mbështetja e BE-së. 

Gjeta tregon se e ka filluar biznesin në fermën e tij që para 5 vitesh, por që nuk ishte zhvilluar në mënyrë kaq të sofistikuar, por me metoda të thjeshta dhe artizanale.

“Ferma rriti numrin e dhive nga 280 në 500 krerë, pas përfitimit të fondeve nga programi IPARD. Nga asistenca e Bashkimit Europian për agrikulturën, mua m’u dha mundësia për ndërtimin e kompleksit, i cili ka rezultuar me trefishim, deri katërfishim të prodhimit të kompanisë”, – thotë Gjeta.

Prodhimi mesatarisht i qumështit nga ferma sot arrin në 700 litra në ditë. Ndërkohë që është krijuar mundësia për të rritur kapacitetin e numrit të bagëtive, duke punësuar dhe më shumë, si dhe duke bashkëpunuar dhe më shumë me fermerët e zonës për produktet që ata prodhojnë, tregon fermeri.

Sot Olsi Gjeta bashkëpunon me më shumë se 50 fermerë lokalë. e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Berisha furnizoi me naftë tanket e Beogradit, sot e quan Thaçin argat albanofob të tyre
Artikulli tjetërArkitektura e re e Drejtësisë, rriten në 75 pranimet në Shkollën e Magjistraturës