TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ – Katër filma premierë, tre artistikë dhe një dokumentar u shfaqën mbrëmë premierë në Tiranë. Në qendrën “TEN” filmat premierë erdhën për të pranishmit të realizuar me regjisorë të huaj, por në role aktorë shqiptarë, emra të njohur por dhe të rinj.
Filmat janë pjesë e projektit kinematografik “Balkan’s Gate”, që është i mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës. Xhirimet e tyre janë bërë vitin që lamë pas në Shkodër dhe tashmë premierat nuk munguan dhe në Tiranë.
Filmat që u shfaqën për të pranishmit ishin realizime nga regjisorë francez, amerikanë, si dhe regjisorë italianë dhe iranianë. “Revirgination” është një komedi e zezë nga regjisoret italiane Elene Beatrice dhe Daniele Lince.
“Revirgination” bën fjalë për procesin e virgjërimit, si një dhunë e madhe që ushtrohet ende ndaj gruas në shoqërinë tonë. Filmi “Positive” (eksperimental) erdhi nga regjisorja iraniane Nasrin Golreyhan dhe bën fjalë për abortin duke ngritur pyetje mbi të drejtën dhe moralen.
Premiera “Bums” një film komedi nga regjisori francez Antoine Neudin që sjell personazhin e mbytur dhe të pashpresë të kohëve moderne, i cili nuk gjen forcë të përmirësojë vetveten. Këto filma angazhuan aktorë si Rita Gjeka, Anila Balla dhe të tjerë që u bënë dhe pjesë e punës së këtij projekti që nisi në qytetin e Shkodrës.
Në kuadër të projektit “Balkan’s Gate” u zhvillua “Visual Story Telling Lab”, me regjisorin amerikan Nathanel Hansen, produkt i të cilit është dokumentari “Aktet e dhunës”.
Dokumentari “Aktet e dhunës” është pjesë e seksionit të Visual Storytelling Lab, një seksion i ri këtë vit dhe është realizuar nga studentët e gazetarisë që morën pjesë, bashkë me mentorin amerikan Nathaniel Hansen. /a.a/j.p/












