Tiranë, masa kundër shkelësve të qarkullimit rrugor

TIRANË, 28 janar /ATSH – I. Vata/ – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë masa kundër shkelësve të qarkullimit rrugor në kryeqytet.

Me fokus patrullimin me përzgjedhje nga rrugorët e kryeqytetit këtë fundjavë policia e kryeqytetit ka përdorur pajisje speciale alkoolmatës dhe radar.

Policia shpjegon se “Nga verifikimet e kryera në rrugët urbane dhe interurbane të kryeqytetit janë evidentuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor ku vetëm gjatë fundjavës janë: arrestuar në kushtet e flagrancës 13 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nga të cilët 10 në gjendje të dehur dhe 3 të pa pajisur me leje drejtimi. Pezulluar 67 leje drejtimi, nga të cilat 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 32 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 7 për shkelje të tjera të ndryshme. Proceduar administrativisht 22 drejtues mjetesh për xhama të errësuar”.

Po ashtu, Policia shton se “janë ndaluar administrativisht 22 mjete për detyrime administrative të pashlyera, si dhe janë vendosur 1350 masa të tjera administrative, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur  për më shumë siguri dhe rregull në rrugët e kryeqytetit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.