TIRANË, 18 janar /ATSH/ – Duke e kthyer tashmë në një traditë dhe kulturë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) po vijon edhe këtë javë programin ndërgjegjësues në shkolla, çerdhe për sigurinë ushqimore.
Nxënësit e shkollës 9-vjeçare, “Pezë-Helmës” në Pezë, të Tiranës u njohën me piramidën ushqimore, vlerat ushqyese, proteinat, si dhe këshilla të tjera mjaft të vyera për ta. Interesi i nxënësve ishte i lartë duke drejtuar pyetje të ndryshme specialistëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Sakaq, synimi i AKU-së është që ky program të fokusohet fillimisht pranë nxënësve të shkollave duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm në kultivimin e qytetarëve të informuar në fushën e sigurisë ushqimore, por edhe aktivë për ta promovuar atë (sigurinë ushqimore) tek familjet e tyre dhe kudo. /e.xh/ /a.g/























