TIRANË, 7 janar/ Qendra Shëndetësore në Allias, Tiranë, është një nga 80 qendrat shëndetësore të rindërtuara me themel gjatë fazës së parë të Programit Kombëtar të 300 qendrave moderne shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu publikoi sot videon ku dëshmohet transformimi që ka ndodhur në këtë qendër shëndetësore.
Nga një ngrehinë që nuk siguronte as shërbimet bazë shëndetësore, Qendra Shëndetësore në Allias është rindërtuar nga e para.
Qytetarët u shprehen shumë të kënaqur nga shërbimi dhe kushtet pas rikonstruksionit.
Ndërkohë edhe për vetë mjekët që punojnë në këtë qendër, përmirësimi rrënjësor i kushteve sjell komoditet për fëmijët, prindërit dhe mjekët.
Përmirësimi i kushteve në këtë qendër shëndetësore është mirëpritur nga prindërit dhe qytetarët, të cilët ndihen të sigurt për shërbimin që ofron kjo qendër.
“Kushtet janë të përmirësuara. Fëmijët ndjehen komodë. Ambientet janë më të rregullta më të pastra. Ne prindërit ndihemi pa merak tani dhe më të sigurt për shërbimin”, – thotë një nënë e re.
Ndryshimi është i dukshëm, në mënyrë të veçantë për banorët që prej shumë vitesh marrin shërbimin këtu. “Jam banore e kësaj lagje që prej 18 vitesh. Më përpara ambientet kanë qenë me lagështirë. Tani kanë ndryshuar gjërat tërësisht.”
“Kam një muaj që kam ardhur nga Amerika dhe standardet e kësaj klinike janë njësoj si ato andej. Duket pothuaj njësoj”, – shprehet një tjetër qytetar.
Ndërkohë që mjekët, e sidomos ata që punojnë prej vitesh në këtë qendër, janë optimistë për faktin se me përmirësimin e kushteve rritet edhe cilësia e shërbimit.
“Kam që prej vitit 1986. Një ndryshim shumë i madh. Është një përmirësim rrënjësor i kushteve. Është një komoditet i madh për fëmijët, për prindërit dhe njëkohësisht edhe për ne mjekët”, – shprehet doktoreshë Aida Kokona.
Ndërsa për mjekun Bektash Mandri “ndryshimi është aq i madh sa edhe pacientët kur vijnë nuk besojnë se është po e njëjta qendër shëndetësore”.
Faza e dytë e programit për rindërtimin e Qendrave Shëndetësore nis këtë vit me 100 qendra të tjera. /m.m/j.p/






















