TIRANË, 7 janar/ATSH-A. Fortuzi/ – Skuadra e “Flamurtarit” ka dërguar një letër drejt Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), për çështjen e sulmuesit Danilo Alves.
Braziliani nuk është kthyer nga Brazili në përfundim të pushimeve dimërore për të vijuar përgatitjet me skuadrën e tij, kësisoj, skuadra vlonjate është detyruar të trokasë në dyert e FIFA-s. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi ka folur për mediet, duke lajmëruar se sulmuesi brazilian tashmë do të paditet në FIFA. “Jemi të detyruar t’i dërgojmë letër FIFA-s për vonesën e lojtarit. Danilo Alves duhej të ishte në Vlorë. Nuk do të tolerojmë vonesa”, u shpreh administratori Idrizi, i cili ka pranuar se ka vonesa në pagat e futbollistëve, por kjo nuk i justifikon ata që të vijojnë pushimet. /j.p/























