“Juventusi” kërkon mbrojtësin më të fortë të “Barcelonës”

TIRANË, 7 janar /ATSH/ – “Juventusi” përgatitet të bëjë një nga blerjet më të madha në radhët e “Barcelonës”. Mediet sportive në Spanjë, njoftojnë se “bardhezinjtë” janë futur zyrtarisht në garë për mbrojtësin Zhordi Alba.

Kjo nuk është hera e parë që mbrojtësi i majtë i “Barcelonës”, një ndër lojtarët më të fortë në botë në rolin e tij, afrohet me “Zonjën e Vjetër”, duke qenë se një tentativë ishte bërë edhe gjatë verës së kaluar, por nga dje është zyrtar fakti se kampionët e Italisë në fuqi janë hedhur në sulm të spanjollit.

Zhordi Alba dhe “Barcelona” kanë kohë që kanë krisur marrëdhënien e tyre, pasi rinovimi i kontratës mes palëve është vënë në rrezik.

Akordi aktual mes Albës dhe “katalanasve” skadon në vitin 2020, por futbollisti që zbarkoi në “Kamp Nou” në vitin 2013 kërkon një zgjatje të marrëveshjes deri në vitin 2023, por pikërisht nga kjo kërkesë ka ardhur edhe përplasja e fortë.

Kërkesa e Albas, nuk është pranuar nga drejtuesit e klubit, i cili kërkon edhe një rritje page nga 5 në 6 milionë euro në sezon.

Sipas zërave që kanë nisur të qarkullojnë, “Juventusi” është gati të bëjë një ofertë prej 40 milionë eurosh për 29-vjeçarin, për ta sjellë atë në Torino. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.