Bonusi i bebeve, programi i zbatueshëm në të gjitha maternitetet e vendit

TIRANË, 5 janar /ATSH/ – Mbështetja për nënat e reja dhe fëmijët do vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe përgjatë vitit 2019.

E pranishme në maternitet pranë nënave të reja të cilat tashmë përfitojnë dhe bonusin e bebeve, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se, “bonusi i bebeve tashmë është një program i zbatueshëm në të gjithë maternitetet. Janë 37 maternitete të cilat kanë recepsionin e tyre unik ku përveç regjistrimit dixhital që realizohet nëpërmjet punonjësit të zyrës civile pikërisht në institucionin shëndetësor gjithashtu nënës i jepet çeku për të porsalindurin”.

”Mbështetja për nënën dhe fëmijën vazhdon dhe do të vijojë me të njëjtin ritëm dhe përgjatë vitit 2019. Përgjatë vitit 2018 ne kemi fuqizuar spitalet rajonale me inkubator dhe eko obestrike-gjinekologjike në 11 spitalet rajonale në vend. Janë 29 inkubatorë statikë dhe të lëvizshëm ku paralelisht kemi investuar dhe në infrastrukturë për të bërë të mundur kushtet e punës që meritojnë mjekët por dhe një standard dhe cilësi shërbimi të përmirësuar për qytetarët, pacientët dhe për nënat e reja”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Nga data 1 janar 2019, të gjitha nënat e fëmijëve të porsalindur përfitojnë bonusin e bebeve. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.