Ballina Aktualitet

Masat ndaj të ftohtit, ekipet e shëndetësisë në gatishmëri

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me strukturat e shëndetësisë për përballimin e emergjencave të mundshme që lidhen me motin e ftohtë.

Ekipet e përforcuara të Urgjencës Kombëtare do të jenë në gatishmëri të përforcuar, me personel shtesë edhe pas ditëve të festave, me shërbimin e urgjencës në territor dhe Njësinë e Helikopterëve 24/7.

Spitalet janë në gatishmëri për çdo situatë kritike që lidhet me motin e ftohtë që ka përfshirë vendin tonë.

Të gjitha qendrat shëndetësore që rrezikojnë bllokimin nga moti i keq, janë pajisur me barna dhe materiale mjekësore shtesë për të përballuar të gjithë periudhën e dimrit. Janë 92 qendra shëndetësore nga Veriu në Jug të vendit të pajisura me medikamentet e nevojshme për sezonin e dimrit.

Në Tiranë vijon shërbimi 24/7 në katër qendra shëndetësore për urgjencat pediatrike dhe përforcim me mjekë në Pediatrinë e QSUT-së.

Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik vijon informimin e qytetarëve për masat për të përballuar të ftohtin. ISHP rekomandon qëndrimin në ambiente të ngrohta me temperaturë jo më të lartë se 21-23 gradë Celsius, të cilat duhet të ajrohen disa herë në ditë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 127 dhe të ndjekin këshillat e ekspertëve të shëndetit publik për të mbrojtur shëndetin nga i ftohti dhe ngricat. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSi të mbrojmë duart nga i ftohti
Artikulli tjetërKORE E JUGUT – Seul: Kërkon azil një diplomat i lartë koreano-verior në Itali