PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ – Ministri i Financave, Bedri Hamza deklaroi sot se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 4,3%, duke shtuar se kjo është është rritja më e madhe në 5-6 vitet e fundit, dhe kryesisht ka ardhur si rezultat i investimeve.
Në konferencën e fundvitit, Hamza tha se kemi nënshkruar 25 marrëveshje financiare ndërkombëtare, prej të cilave 17 janë grante.
“Në këtë mandat, kemi arritur që të nënshkruajmë 25 marrëveshje financiare ndërkombëtare, nga këto 17 marrëveshje janë grante, janë kontribute financiare pa kthim që kapin vlerën prej 181 milionë e 496 mijë euro. Kjo falë një bashkëpunimi dhe punës së madhe të MF-së, mirëbesimit të donatorëve në Ministri të Financave”, tha ai.
Ministri i Financave ndër të tjera bëri të ditur se brenda këtij viti kanë arritur të procedojnë 14 ligje në Kuvendin e Kosovës.
Ai u shpreh se pret që bilanci bankar në vitin 2019 do të jetë 385 milionë euro.
Sipas tij, është inkurajues fakti se investimet kapitale këtë vit kalojnë shumën prej 500 milionë euro.
Sipas Hamzës, Kosova ka borxhin më të vogël publik në rajon. /a.g/























