Ballina Flash

FOTO/ Shkodër, Krishtlindje të gëzuara në qytetin verior

TIRANË, 25 Dhjetor/ATSH/- Besimtarët e krishterë të qytetit të Shkodrës kanë festuar të gjithë së bashku pranë familjeve të tyre.

Por, festa e Krishtlindjeve pjesën kulmore të saj e ka në mbajtjen e meshave solemne pranë katedraleve të qytetit.

Në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër u kremtua sot mesha e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë.

Në meshën e drejtuar nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult Angelo Massafra, ishin të pranishëm qindra besimtarë të krishterë.

“Çdo njeri të jetojë me paqe në shtëpi e kudo, të jetojë në paqe kudo në botë. Këtë natë duhet të tejkalohet çdo vështirësi, urrejtje e mëri ndaj të tjerëve, duke hapur zemrën per dashuri”, iu drejtua Arqipeshkvi Massafra besimtarëve që kishin mbushur katedralen.

Për familjet shkodrane, festa e Krishtlindjeve apo Kshnellat, siç njihen në Shkodër, është ndër më të veçantat për besimtarët e krishterë, përfshirë ato katolikë dhe ortodoksë. Nisur edhe nga përqindja më e madhe që ekziston në Shkodër dhe përgjithësisht në qarkun verior, komuniteti katolik është më në vëmendje të kësaj feste.

Edhe pse më të pakët në numër, me të njëjtën madhështi e përjeton këtë festë edhe komuniteti ortodoks./k.s./j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakINDONEZI – Arrin në 429 numri i të vdekurve nga cunami
Artikulli tjetërVATIKAN – Papa kritikon konsumin e pangopur të njeriut