Panuçi kontaktohet nga drejtuesit e “Romës”

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Cristian Panuçi sipas medieve italiane, më konkretisht sipas “Il Mesaggero”, është në listën e drejtuesve të “Romës” për të marrë vendin e Eusebio di Francescos.

Madje shkohet edhe më tej, teksa raportohet se 45-vjeçari ka marrë një telefonate nga drejtuesi verdhekuq Franco Baldini, për të kuptuar nëse kjo lëvizje është e mundshme.

Marrëdhënia mes Panuçit dhe krahut të djathtë të presidentit James Palotta ka qenë gjithmonë e mirë, sikurse ajo me kapitenin De Rossi.

Cristian Panuçi ka kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në nëntor të vitit 2019, kur përfundojnë edhe eliminatoret e Europianit, por kjo s’do të thotë që trajneri italian nuk mund të largohet para kohe nga Shqipëria, pasi një ofertë nga Roma mund të të vijë vetëm një herë në jetë.

Panuçi momentalisht është me pushime, por do të jetë i pranishëm në stadium në takimin kundër “Parmës” në “Tardini” për të ndjekur “Romën”. “Roma” mbetet “Roma”, do të thotë gjithçka ose asgjë. /o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.