Ballina Ekonomi

Këshilli bashkiak i Tiranës votoi buxhetin e ri për vitin 2019

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Pasditen e së premtes këshilli bashkiak i Tiranës i dha administratës bashkiake buxhetin e ri për vitin 2019.

Me votat e socialistëve dhe të PDIU u vendos që të rritet me 12 për qind buxheti, i fokusuar në infrastrukturë rrugore, banesa sociale, shkolla e kopshte, pastrim e gjelbërim.

Gjatë diskutimit të buxhetit për vitin 2019 kryebashkiaku Veliaj i dha përgjigje edhe akuzave të ngritura nga opozita.

Veliaj tha se ka gati dosjen për ta dorëzuar në Prokurori me akuzën për shpifje.

|Me durim i kam mbledhur të gjitha. Nuk i shtoj asnjë akuze dhe asnjë cifël balte që i hidhet këtij qyteti dhe kësaj bashkie dhe siç e bëj gjithmonë dua që ta bëj edhe këtë herë”.

I akuzuar nga Partia Demokratike se ka dhënë leje në tokën private të dikujt në zonën e Unazës së Re, Veliaj sqaroi se kjo tokë nuk është në zonën e unazës.

“Kemi bërë verifikimet, është në njësinë nr. 7, në anën e djathtë kur shkon për te ‘Shqiponja’. Pra, është më afër fushës së aviacionit dhe njësisë nr. 7 sesa është me projektin e unazës. Kjo është gënjeshtra e parë dhe kushdo që mund ta verifikojë në hartë ku kanë qenë serrat që janë privatizuar nga po këta, nga ministrat e këtyre dhe qeveria e këtyre. Gënjeshtra e dytë, ne nuk kemi dhënë asnjë leje aty.

Kryetari i bashkisë së Tiranës akuzoi drejtpërdrejtë Lulzim Bashën dhe Jorida Tabakun për shkelje ligji, pasi sipas tij janë këta të dy që kanë dhënë leje ndërtimi për veten e tyre në kohën që drejtonin Bashkinë.

“Po ka një të tillë që bashkia e Tiranës ka dhënë leje, atëherë unë iki nga bashkia e Tiranës, le të kthehet ta bëjë Luli prapë. Në të kundërt, ka frikë se do të duhet të shkojë prapë në Gjykatë për shpifje. Kjo është leja e ndërtimit që do të hyjë në muze. Kur të shkruhen librat e historisë për bashkinë, kryetar bashkie që i jep leje vetes vet por kujdes, nuk do të shkojë vetëm në muze. Kam pritur prej kohësh që prokuroria të veprojë, nuk po vepron por do shkoj ta çoj vetë ne prokurori. Ligji i konfliktit të interesit ka shkeljen më flagrante me këtë leje. Kryetari i bashkisë i jep leje vetes së vet.’’

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakALGJERI – Sekuestrohen mbi 3 milionë euro kartëmonedha të falsifikuara
Artikulli tjetërUashingtoni kërkon lirimin e menjëhershëm të dy kanadezëve të arrestuar në Kinë