Ballina Flash

FOTO/ Dekor dhe atmosferë festive në Elbasan

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/- Atmosfera e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri ka disa ditë që është ndjerë edhe në qytetin e Elbasanit.

Kjo duket në dekorin e qytetit, i cili është zbukuruar me pemë dhe simbolet universale që paralajmërojnë ardhjen e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Të gjithë qytetarët elbasanas po përgatiten të festojnë këtë traditë të lashtë pagane që ka lënë gjurmë të thella edhe në kulturën tonë shqiptare.

Bashkia e Elbasanit ka zbukuruar qytetin me pemët e Vitit të Ri, simbol i kësaj feste në qendër të qytetit, por jo vetëm, ndërsa muret e lashtë të kalasë së qytetit, nisin të ndriçojnë sapo errësira mbulon qytetin.

Por, nuk janë vetëm muret rrethuese të kalasë, por e gjithë qendra e qytetit është zbukuruar me drita dekorative dhe shumëngjyrëshe, që paralajmërojnë ardhjen e festave.

Në këtë fund viti, është bërë traditë që qytetarët të shpenzojnë shuma parash për konsum, por nuk mungojnë edhe dhuratat e shumta që i shkëmbejnë me njëri-tjetrin, në veçanti për fëmijët.

Në mbrëmje rreth pemës së Vitit të Ri mblidhen me dhjetëra fëmijë të shoqëruar me prindër, për të bërë fotot të cilat i ruajnë si kujtim të albumet e tyre.

Ambientet e dekoruara të ftojnë të qëndrosh dhe të shijosh këtë bukuri që ndodh vetëm për festat e fundvitit. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKShH evidenton problematikat e studentëve në universitetet publike
Artikulli tjetërVJENË – AI akuzon Hungarinë për dhunë të tepruar ndaj protestuesve