TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme Detare, ka sinjalizuar kapitenerite e porteve në vend, të njoftojnë mjetet lundruese për përkeqësim të mundshëm të motit në orët në vijim.
Gjithsesi, Drejtoria e Përgjithshme Detare, bën me dije se gjatë ditës së shtunë, tragetet do të udhëtojnë për në destinacionet e parashikuara, me përjashtim të linjës Korfuz-Sarandë-Korfuz.
Kjo linjë është pezulluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike në Portin e Sarandës.
Mëngjesin e të shtunës raportohet se në Portin e Durrësit, pavarësisht reshjeve të shiut, situata paraqitet normale.
Ndërsa në Portin e Vlorës ka pasur prezencë uji në afërsi të godinës së administratës por pjesa e terminalit ku përpunohen pasagjerët nuk ka probleme. Sot në mëngjes, një traget u ankorua me 45 minuta vonesë për shkak të kohës së keqe.
Ndërsa në Portin e Shëngjinit, nuk paraqiten probleme dhe puna vazhdon normalisht. /o.l/./a.g/























