Ballina Aktualitet

Tarifat, kompetencë e plotë e universiteteve

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Ligji i Arsimit të Lartë i jep fuqinë dhe kompetencat e plota universiteteve sa i takon tarifave.

Në një takim me rektorët e dekanët, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “tarifat janë përgjegjësi e universiteteve për t’i propozuar dhe përgjegjësi e qeverisë për t’i pranuar”.

“Si ka mundësi që sot e gjithë ditën studentët nuk e dinë fare se çfarë janë tarifat, sa është kostoja e secilit prej tyre, nuk e dinë se 75% e kostos e mbulon buxheti i shtetit dhe se nga burojnë tarifat. Çfarë i kushton universiteteve dhe secilit prej jush që senati akademik të funksionojë me fuqinë dhe kompetencat e plota që i jep ligji për Arsimin e Lartë e thotë shprehimisht që i takon senatit, që jo vetëm të ketë dijeni, por edhe vendimmarrje mbi këto tema”, – tha Rama.

Ligji i ri për Arsimin e Lartë, sipas tij, i ka dhënë një hapësirë të re autonomie universitetit.

“Janë në të drejtën e tyre shumë studentë dhe qytetarë që të mos e kuptojnë kur unë them se është e pamundur për mua dhe qeverinë që t’i zgjidh nga lart poshtë disa çështje, sepse universiteti ka autonomi”, tha ai.

Kryeministri u kujtoi rektorëve e dekanëve se “tarifa e provimeve të mbartura është një tarifë e kërkuar nga Universitetet dhe këtë as nuk mund ta mohojnë dhe as mund të bëjnë sikur e kanë harruar në momentin që ajo bëhet problem”.

“Përpara se të hynim në këtë fazë, protesta nisi me një shkak konkret lidhur me një tarifë. Tarifa e provimeve të mbartura është një tarifë e kërkuar nga ju dhe ju këtë as nuk mund ta mohoni dhe as mund të bëni sikur e keni harruar në momentin që ajo bëhet problem”-tha Rama./r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARKITEKTURË  – Përurohet godina e parë në kompleksin më të madh në botë me muze
Artikulli tjetërRama-rektorëve: Shpenzoni 6 milionë euro për roja e makina, zero për kërkimin shkencor